Gjergj Vyshka 11.05.2016 14:20
Elbasani ka fituar ndeshjen e parë për titullin “kampion” me Vllazninë, një ndeshje kjo që është luajtur të dielën e kaluar në Shkodër. Kështu ka informuar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Hendbollit, Armand Çakalli, ndërsa pjesa e parë ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendëse 13-12.
Në pjesën e dytë, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Çakalli, të dyja skuadra janë munduar të bëjnë më të mirën e tyre, duke dhuruar rivalitet. Por, në fund, ndoshta edhe me më shumë përvojë, Elbasani ka arritur të fitojë me dy gola diferencë të gjithë ndeshjen, me shifrat 28-26.
Tashmë ndeshja e kthimit do të luhet të dielën e ardhshme në ora 14:00 në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani” e sipas marrëveshjes së arritur me Federatën e Hendbollit të Kosovës, kjo ndeshje do të gjykohet nga dy gjyqtarë kosovarë. “Për t’u nënvizuar, – ka thënë duke përfunduar sekretari Çakalli, – është se i gjithë kampionati i këtij sezoni është financuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Hendbollit, Nesim Jahollari.”
Ndërkohë, në ceremoninë e mbylljes së sezonit 2015-2016 janë të ftuar Presidenti i Federatës Shqiptare të Hendbollit, Nesim Jahollari, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.