AlbanianSport.com 11.05.2016 12:30
ASNN – Flamurtari në basketboll për femra, edhe duke fituar dje në mesditë ndaj Vllaznisë në Vlorë, ka hedhur hapin e parë drejt kalimit në finalen për titull “kampion”. E për të mos e bërë të vështirë këtë kalim, ndërsa Flamurtari nuk është duke kaluar formën e saj më të mirë në këtë fundsezoni, të besuarat e Viron Toskës do të tentojnë të premten në Shkodër, në gjysmëfinalen e kthimit, që të mbyllin këtë çështje.
Kuptohet për t’u përgatitur më mirë për finalen për titull kampion, ndërsa Flamurtari është fituese në fuqi. Në fakt nuk ka qenë aspak një ndeshje e lehtë për Flamurtarin, sepse shkodranet kanë tentuar të bëjnë surprizën. Sidomos nga fakt që kampioneve u mungonte edhe lojtarja kryesore e ekipit, Elektra Zykaj. Mirëpo eksperienca dhe loja më e mirë e Flamurtarit, kryesisht në pjesën e dytë, ka bërë diferencën.
Dhjetë minutat e para mbyllen në epërsi për Vllazninë, 11-22. E ky disavantazh jo normal për vlonjatet, sidomos në fushën e tyre, bën që Flamurtari të zgjohet në lojën e vet duke kërkuar të ndryshojë gjithçka që në 10 minutat e dyta, por pa ia arritur qëllimit. Flamurtari në fakt e ka fituar pjesën e dytë 24-14, por në pushim është Vllaznia që kryeson me një pikë diferencë, 36-35.
Flamurtari vijon të luajë më mirë dhe të jetë superior ndaj Vllaznisë duke mbyllur 10 minutat e treta në epërsi 52-48, teksa ka fituar këtë pjesë 17-12. Të njëjtën gjë ka bërë edhe në 10 minutat e fundit, kur ka fituar pjesën e katërt 24-15 dhe të gjithë ndeshjen 76-63, duke hedhur kështu një hap të sigurt drejt kalimit në finalen për titull “kampion” në basketbollin shqiptar të femrave.
Flamurtari – Vllaznia 76-63 (1-0)
(11-22, 24-14, 17-12, 24-15)
Flamurtari: Myrto, Rrapaj, Bleta, Palko, Lloi / Plasa, Hysaj, Kostallari, Hasanaj, Kasaj. Trajner: V. Toska
Vllaznia: I. Dashja, Berranija, Mustafa, Çoçja, Basha / A. Dashja, Kraja, Karajfili. Trajner: R. Rashja
Gjyqtarë: G. Cici, O. Kasmi (Tiranë), H. Trajer (Shkodër)