Gjergj Vyshka 11.05.2016 09:45
Një etapë jo e mirë për Eugert Zhupën, që ka mbërritur 8 minuta e 10 sekonda pas vendit të parë, ndërsa në renditjen e përgjithshme ka rrëshqitur në vendin e 114-të. Diego Ulisi bën sulmin fitues në kilometrat e fundit të etapës së katërt të Xhiros së Italisë, e cila ka nisur në Katanzaro dhe ka përfunduar në Praia a Mare, me një gjatësi prej 200 kilometrash.
Dhe në fund është fitues i kësaj etape, e cila ishte e para në Itali pas tre të tillave të zhvilluara në Holandë. Livornezi ka shpërthyer në një nga shkëputjet e tij të fundit nga grupi i madh, ndërsa i ka rezistuar deri në fund ndjekësve, të cilët ishin pas tij vetëm dhjetë sekonda. E në këtë mënyrë i ka dhuruar dhe fanellën rozë holandezit Tom Dumulin.
Ky i fundit ka përfituar nga kriza e gjermanit Kitel, që ka mbërritur në finish me tetë minuta e dhjetë sekonda larg Ulisit, duke u renditur në vendin e 142-të. Me të njëjtën kohë nga vendi i parë, por tashmë tre pozicione më poshte së Kitel, ka ardhur në finish dhe çiklisti shqiptar, Eugert Zhupa, i cili, pas 3 të parave shumë të kënaqshme, nuk është se ka bërë një etapë të mirë.
E për rrjedhojë në renditjen e përgjithshme ka humbur 19 vende duke qenë tashmë i 114-ti me një distancë prej nëntë minutash e 44 sekondash nga Tom Dumulin, që është kryesuesi aktual i Xhiros së Italisë. Duke mbetur tek etapa e katërt, fillimisht janë shkëputur Boem, Brandle, Mohoriç dhe Roskop. Ato e kanë nisur shkëputjen në kilometrin e 15-të të etapës.
Por, teksa kishin mbetur 50 kilometra nga finishi janë stakuar nga grupi i madh i ndjekësve. E kanë provuar të shkëputen shtatë të tjerë, në një nga sulmet finale, duke i dhënë kështu dhe çarje të grupit të madh të ndjekësve. Dhe i vetmi që i ka rezistuar kësaj shkëputjeje ishte Diego Ulisi, që në Praia a Mare ishte fitues.
Xhiro e Italisë 2016
Çiklizëm – Meshkuj
Rezultatet e etapës së 4-t
(Katania-Praia a Mare, 200 km)
1) Diego Ulisi (Itali) 4h46’51”
2) Tom Dumulin (Holandë) +5”
3) Stiven Kruijseijk (Holandë) +5”
4) Alehandro Valverde (Spanjë) +6”
5) Xhianluka Brambila (Itali) -“-
6) Vincenco Nibali (Itali) -“-
7) Ilnur Zakarin (Rusi) -“-
8) Mateo Busato (Itali) -“-
9) Esteban Çavez (Kolumbi) -“-
10) Nikolas Roshe (Irlandë) -“-
145) EUGERT ZHUPA (SHQIPËRI) +8’10”
Renditja e përgjithshme pas katër etapash:
1) Tom Dumulin (Holandë) 14h00’09”
2) Bob Jungels (Luksemburg) +20”
3) Diego Ulisi (Itali) -“-
4) Stiven Kruijeijk (Holandë) +24”
5) Georg Preidler (Austri) -“-
6) Vincenco Nibali (Itali) +26”
7) Alehandro Valverde (Spanjë) +31”
8) Jakob Fuglsand (Danimarkë) +35”
9) Nikolas Roshe (Irlandë) +37”
10) Esteban Çavez (Kolumbi) -“-
114) EUGERT ZHUPA (SHQIPËRI) +9’44”