Gjergj Vyshka 10.05.2016 19:00
Dita Botërore e Fëmijëve në atletikë është zhvilluar dhe në Shqipëri, ndërsa Federata Shqiptare e Atletikës kishte zgjedhur Peshkopinë. Dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, e ka pasur një argument.
“Sepse Peshkopia, – thotë Ruli, – është shquar në mënyrë të veçantë për nxjerrjen e atletëve për garat e mesme dhe të thellësisë. Dhe, në këto kushte, ne bëmë këtë veprimtari për fëmijët e shkollave të ciklit të ulët dhe 9-vjeçare.”
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, edhe duke qenë lektor i certifikuar nga ndërkombëtarët, ka mbajtur disa leksione për mënyrën e të stërviturit të fëmijëve.
“E gjithë veprimtaria është bërë me bazën materiale që ka ardhur nga Federata Botërore e Atletikës për këtë punë”, – ka theksuar Ruli, kurse Peshkopia kësisoj është kthyer në qendrën e festimeve të ditës botërore të fëmijëve.