Gjergj Vyshka 10.05.2016 08:00
Pas Pietro Meneas, Robert Emianit dhe Alberto Huantorenos, Federata Shqiptare e Atletikës bëhet gati të nderojë një tjetër figurë ndërkombëtare. Së shpejti zyrtarizimi i numrit të pjesëmarrësve. Tashmë është bërë traditë që Federata Shqiptare e Atletikës të nderojë figurat ndërkombëtare nëpërmjet aktivitetit të saj. Figura që ka dhënë gjithçka në arenën botërore dhe evropiane me rekordet që janë në fuqi.
Dhe në këto kushte, Federata Shqiptare e Atletikës, nëpërmjet presidentit të saj Gjergji Ruli, ka gjetur këtë mënyrë për ta bërë mbretëreshën shqiptare të pranishme në aktivitetet ndërkombëtare. Pas Pietro Meneas, ish-rekordmenit botëror të 200 metrave, Robert Emianit, rekordmenit evropian në kërcim së gjati, dhe Alberto Huantorenos, rekordmenit botëror në 800 dhe 1500 metra, Federata Shqiptare e Atletikës më 21 maj ka menduar të zhvillojë një tjetër miting ndërkombëtar në nderim të këtyre figurave.
Nëse në vite më parë është zhvilluar në pistën me tartan të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit, tashmë gjithçka do të jetë në kushte më moderne. Edhe sepse Stadiumi “Elbasan Arena” nuk është vetëm për futboll, por dhe për atletikë. E nën ndriçimin e prozhektorëve, teksa do të jetë një program i reduktuar, i cili ka të përfshirë garat e shpejtësisë, të mesme dhe gjysmë të thellësisë dhe kërcimeve, pritet të ketë dhe një numër pjesëmarrësish ndërkombëtaresh.
Sepse pritet të ketë pjesëmarrje nga fqinjët nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, por dhe Bullgaria, apo Italia e Greqia. Megjithatë sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, ka bërë të ditur se shumë shpejt do të zyrtarizohet dhe lista e numri i pjesëmarrësve. Por tashmë është fakt, që më 21 maj në “Elbasan Arena” Mitingu ndërkombëtar i Atletikës në nderim të figurave do të jetë një vlerë më shumë për këtë impiant.
Kupa e Nderimit të Figurave
Programi i garave:
Meshkuj:
Ora 16:00 110 m/p
Ora 16:30 Kërcim Trehapësh
Ora 17:00 100 m
Ora 17:30 800 m
Ora 17:40 Kërcim së gjati
Ora 18:00 200 m
Ora 18:30 1500 m
Ora 19:00 400 m
Ora 19:30 3000 m
Femra:
Ora 16:15 100 m/p
Ora 17:10 Kërcim Trehapësh
Ora 17:15 100 m
Ora 17:45 800 m
Ora 18:15 200 m
Ora 18:30 Kërcim së gjati
Ora 18:45 1500 m
Ora 19:15 400 m
Ora 19:45 3000 m