Gjergj Vyshka 09.05.2016 19:35
Ermal Hadribeaj i ka gëzuar shqiptarët, pasi u dhuroi titullin e “Kampionit” të Ballkani për ndeshjet e lira. Në të njëjtën kohë u shpall gjithashtu sportisti më i mirë i Kampionatit Ballkanik-MMA të zhvilluar në Antalia të Turqisë, nga data 6, deri më 8 maj 2016. Dhe në këto kushte ai ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror të Ndeshjeve të Lira, që zhvillohet në korrik në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Niveli i lartë teknik, përgatitja e pashoq fizike ishin vendimtare në fitoren e Hadribeajt në gjysmëfinale kundër luftëtarëve, Adabek Bathro dhe në finale me Muhamet Jusuf Karimou. Ai i mposhti kundërshtarët në të dy ndeshjet me KO, ndonëse përballë fuqisë së Adabek Bathro u vu në vështirësi. Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira tha se Bathro ishte mjaft aktiv, por Hadribeaj në fillim të raundit të dytë, me një sulm mjaft të fuqishëm, i lëshoi kundërshtarit disa goditje me kombinime dhe e rrëzoi në tapet.
Paskësaj Bathro pati menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, që e dërgoi në spital dhe nuk ka asnjë problem shqetësues. Presidenti i FSHNL-së, Arjan Rizai tha se finalja me Muhamet Jusuf Karimu ishte histori. “Në raundin e parë, ndeshja filloi vrullshëm me sportistin tonë që pati kontrollin duke i dhënë kundërshtarit shumë goditje, por edhe duke iu shmangur herë pas here, – ka rrëfyer Rizai. – Raundi i dytë ishte më i baraspeshuar.”
“Ndërsa në të tretin Hadribeaj me epërsi të plotë në 30 sekonda nga fundi, me disa goditje të forta, detyroi gjyqtarin që ta ndërpriste e ta shpallte kampion të Ballkanit”, – pëfundoi kreu i FSHNL-së. I pranishëm ishte edhe zëvendëspresidenti i FSHNL-së, Elton Isufi, me ftesë të presidentit të Federatës Ballkanike, Stanislav Nedkov dhe zëvendëspresidentit të Federatës Ballkanike, Orhan Okzakti. Presidenti Nedkov vlerësoi punën e FSHNL-së.
Ndonëse një federatë e re, Shqipëria mori rezultat “kampioni” në Antalia dhe bashkë me Rizain, Nedkovi e përkufizoi arritjen si tepër të rëndësishme dhe historike. “Ermal Hadribeaj është hero dhe një sportist për t’u marrë shembull nga të gjithë”, – tha Rizai. Ai kërkoi mbështetjen e të gjithëve duke vënë në dukje rëndësinë që ka sporti në krijimin e brezave të shëndetshëm. Prej rezultateve të arritura, Shqipëria fitoi të drejtën që në Tiranë të bëhet vendi organizator në vjeshtë i Kampionatit Ballkanik.