AlbanianSport.com 09.05.2016 18:45
ASNN – Pranimi në UEFA pritet t’i japë Kosovës dhe futbollit të saj një mbështetje edhe financiare, ndonëse për momentin, mund të cilësohet në nivele modeste. Kështu, skuadra e Ferronikelit pritet të përfitojë 250 mijë euro nga UEFA pas shpalljes “kampion” në Superligën e Kosovës në futboll
Klubi i futbollit Ferronikeli ka fituar edhe një titull kampioni, të dytin rresht, titull ky që pritet t’i sjellë përfitime. Me këtë sukses skuadra nga Drenasi pritet të marrë pjesë edhe në fazën paraeliminatore të Ligës së Kampionëve për sezonin që vjen. Bashkë me këtë, edhe 250 mijë euro nga fondi i UEFA-s për shpërblime.
Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), tri ekipe kosovare do të shpërblehen nga UEFA, kampioni me 250 mijë euro, nënkampioni me 200 mijë dhe fituesi i Kupës me 200 mijë të tjera. Po kaq ekipe pritet të dalin në garat evropiane, por për këtë saktë do të vendoset në fund të këtij muaji, ka njoftuar UEFA.