AlbanianSport.com 09.05.2016 15:25
ASNN – Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ka vendosur ta reduktojë nga 6 në 4 vjet periudhën e pezullimit të Mishel Platinisë nga të gjitha aktivitetet sportive. Ai akuzohej për marrje rryshfeti nga FIFA. Pas këtij vendimi, Platini ka dhënë dorëheqjen si president i UEFA-s. Mishel Platini nuk do të jetë pjesë e botës së sportit për 4 vitet e ardhshme.
Ky është vendimi përfundimtar i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, i marrë të hënën. Në dhjetor të 2015-ës, ish-presidenti i UEFA-s, ishte dënuar nga Komisioni i Etikës së FIFA-s me 8 vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet sportive, për shkak të disa pagesave të pajustifikuara dhe të paligjshme, me një shumë prej dy milionë frangash zvicerane, që ai kishte marrë nga Sep Blateri.
Por Komisioni i Apelit të FIFA-s, ia reduktoi në 6 vjet dënimin francezit. Platini e dërgoi çështjen në “CAS”, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Pasi e shqyrtoi çështjen, CAS vendosi ta ulë pezullimin e francezit nga gjashtë në katër vjet nga të gjitha funksionet që kanë të bëjnë me botën e futbollit.
Nëpërmjet avokatëve të tij, Platini njoftoi se jep dorëheqjen si president i UEFA-s pas dështimit për t’u liruar nga akuzat e për të dalë i pafajshëm. CAS-i e ka justifikuar vendimin se e njeh “vlefshmërinë” e kontratës verbale të lidhur midis Platinisë dhe FIFA, por “nuk është i bindur për ligjshmërinë” e pagesës prej 2 milionë franga të dhëna në vitin 2011 ish-presidentit të UEFA-s nga Blater për punën si këshilltar i tij.
CAS-i ia ka reduktuar edhe gjobën Platinisë, i cili tashmë nga 80 mijë duhet të paguajë 60 mijë franga.