AlbanianSport.com 08.05.2016 20:50
ASNN – Frosinone rikthehet në Serinë B të Kampionatit Italian të Futbollit. Humbja me një gol të vetëm në shtëpi përballë Sasuolos, ka bërë që skuadra ku luan edhe mbrojtësi shqiptar, Arlind Ajeti, të mos ketë më asnjë shpresë për mbijetesë.
Pas Veronës e Frosinones, tashmë të rënë, rrezikon edhe Karpi që është rikthyer në zonën e ftohtë, pasi Lacio nuk e mëshiroi aspak skuadrën vendase duke i rrëmbyer një fitore 3-1 që për bardhekaltrit shërben thjesht sa për statistika.
Derbi i Xhenoas foli me gjuhën e skuadrës së Gasperinit, që dominoi Sampdorian me rezultatin 3-0. Dy golat e Susos dhe një i Pavoletit i rikthyen nderin Xhenoas që rikthehet fituese në derbin e qytetit bregdetar.
Ndërkohë, Fiorentina nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Palermos, duke u dhënë një dorë të madhe skuadrës siçiliane që largohet përkohësisht nga zona e ftohte me një pikë më shumë se Karpi. Nga ana tjetër, Udineze siguroi pikën e mbijetesës në Bergamo ku barazoi 1-1 me Atalantën.