Gjergj Vyshka 27.10.2014 08:25
Pas pushimit, në Batum të Gjeorgjisë është kthyer Kampionati Evropian i Moshave në Shah. Më e mira e përfaqësueses së Shqipërisë, Klean Shuqja, nuk ka mundur dot ta përballojë rusen Emilia Zavivaeva. Dhe për rrjedhojë ka pësuar humbjen e parë, ndërsa Shuqja pas 7 turesh ka mbetur në vendin e 7-të mes 63 pjesëmarrësve, me 5 pikë.
Po kështu është rikthyer me humbje Suzana Kërçiku tek Nën-16-vjeçaret për vajza, e cila dje është mundur nga izraelitja Mishal Lahav. Për rrjedhojë me 2.5 pikë pozicionohet në vendin e 56-të mes 67 pjesëmarrësve. Por e djeshmja ka qenë e mbarë për djemtë.
Kështu, tek Nën-18-vjeçarët, Ted Shpati ka gjetur fitoren e parë, ndërsa ka mundur qipriotin Arsenios Hadjikiriaku. Dhe me një pikë në 7 ture është në vendin 63-të mes 64 garuesve. Po kështu ka fituar Timoleo Miço tek nën-16-vjeçarët, i cili ka mundur anglezin Ravi Haria.
Me katër pikë ai është në vendin e 32-të mes 89 pjesëmarrësve. Ndërkohë kanë barazuar Devid Spiru tek nën-14-vjeçarët, me danezin Hautop Bjarke Kristensen dhe Pirro Marko me gjeorgjianin Karen Intsvani. Spiru me 2 pik është i 91-ti mes 99 pjesëmarrësve, kurse Marko me 1.5 është i 118-ti mes 121 pjesëmarrësve.
Evropiani i moshave përfundon të martën.