AlbanianSport.com 07.05.2016 20:25
ASNN – Në mjediset e Pallatit të Sportit në kryeqytet u mbajt sot turneu ndërkombëtar i Taekuondosë në versionin “World” në të cilin janë regjistruar dhe kanë konkurruar afro 500 sportistë. Në edicionin e tij jubilar, atë të 5-të, ky turne i ka kapërcyer të gjitha pritshmëritë përsa i përket pjesëmarrjes dhe, sipas organizatorit Leo Kapri, ai është shndërruar në pak vite në turneun madhor të këtij sporti në Shqipëri, madje edhe të gjithë arteve marciale.
“Top Tirana Open”, turneu ndërkombëtar i Taekuondosë në versionin “World”, i cili këtë vit ka edicionin e tij jubilar, atë të 5-të, ka kapërcyer të gjitha pritshmëritë përsa i përket pjesëmarrësve. Organizatori i këtij turne, kreu i Klubit të Taekuondosë “Top Gym Sport”, Leo Kapri, ky turne është shndërruar në pak vite në turneun madhor të këtij sporti në Shqipëri, madje edhe të gjithë arteve marciale, si dhe po synohet edhe shndërrimi i tij në një turne të rëndësishëm ndërkombëtar.
Ky turne u mbajt sot në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe në të janë regjistruar afro 500 sportistë pjesëmarrës. Natyrisht që sportistët shqiptarë përbëjnë një pjesë të mirë të pjesëmarrësve, por përtej trojeve shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, këtë vit kanë marrë pjesë edhe një numër të madh konkurrentësh nga Greqia, por edhe nga Italia, nga Serbia, madje edhe nga Izraeli. Gjithsej, kanë qenë 11 shtete që garuan në këtë veprimtari.