Gjergj Vyshka 07.05.2016 17:55
Blendi Nallbani, shefi i klubit shumësportësh “Studenti”, ka sqaruar se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me shkarkimin e trajnerit të volejbollit të meshkujve. “Po ju them që më 16 dhjetor 2015, me një shkresë me Nr. Prot 53, drejtuar zyrës së financës të klubit “Studenti”, kam urdhëruar që për Ylli Tomorrin të mos ndërpriten marrëdhëniet financiare deri në fund të sezonit për të mirën e klubit”, – deklaroi ai.
“Sepse që më 16 dhjetor 2015 e ka mbushur moshën e pensionit, – vijoi ish-futbollisti i Tiranës. – Atëherë ku është mosmirënjohja?”. Të njëjtën gjë vërteton dhe Ylli Tomorri, i cili tregon se është vërtetë që ka një shkresë të tillë nga shefi i klubit shumësportësh Studenti, një kopje të së cilës e ka dhe ai. “Por ama është për një vit dhe jo për në fund të sezonit”, – ka këmbëngulur trajneri veteran.
“Për ndërprerjen e marrëdhënieve duhet të më kishin lajmëruar dy javë përpara dhe të më jepnin lejen njëmujore siç më takon me ligj, – ka vijuar ai. – Megjithatë po e deklaroj, nuk qëndroj më. Tashmë është zyrtare: Do të bëj Partizanin”. Parë kështu, edhe duke qenë se Tomorri është, do të jetë dhe do të mbetet ikona e Studentit me të gjitha trofetë që ka dhënë në 35 vjet punë, duhet të kishte tjetër zgjidhje për ta mbajtur.
Sepse në fakt ligji parashikon dhe qëndrim të trajnerëve me honorare. Mirëpo tek “Studenti” i ka rënë shkurt, pavarësisht sqarimit të shefit të klubit shumësportësh, Blendi Nallbani, ndërsa tashmë është fakt ndarja keq me një trajner kampion si Ylli Tomorri. E Partizani është me fat që do ta ketë përsëri në gjirin e vet…