AlbanianSport.com 07.05.2016 11:15
ASNN – Futbollisti i Kombëtares kuqezi, Alban Meha, do të largohet nga Konjaspori dhe do të vazhdojë karrierën e tij te skuadra e Al-Nasrit në kampionatin e Arabisë Saudite. Në pritje se çfarë do të vendosë për të ardhmen e tij në kombëtare, Alban Meha ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm sa i përket karrierës së tij.
Mesfushori do të largohet nga kampionati turk për të luajtur në Arabinë Saudite. Mediat në vend bëjnë të ditur se futbollisti 30-vjeçar ka pranuar ofertën e Al-Nasrit, pas disa takimeve që ka bërë javët e fundit me drejtuesit e këtij klubi.
Duke iu referuar asaj që raporton e përditshmja turke, “Milliyet”, Alban Meha do të largohet nga Konjaspori për 1 milion euro. Ky ishte vendimi i vetë futbollistit, pasi skuadra turke ishte e gatshme t’i rinovonte kontratën pas një kampionati të shkëlqyer.
Futbollisti kosovar u transferua te Konjaspor në fillim të këtij sezoni, duke u kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm. Ai dha pesë pasime për gola dhe shënoi vetë 5 gola të tjerë.
Më i rëndësishmi ishte ai që i dhuroi ekipit të tij gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë në ndeshjen kundër Beshiktashit.