AlbanianSport.com 07.05.2016 08:45
ASNN – Pas 53 vjetësh që nga koha kur u vendos të luheshin në mesjavë, ndeshjet e veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Ligës së Kampionëve, mund të bëjnë kapërcimin e madh dhe të luhen në fundjave. Por jo para vitit 2021.
Kjo ide është duke u diskutuar nga organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA, e cila po synon që të rrisë interesimin në garën më të famshme të saj. Megjithatë, këto ndryshime në Ligën e Kampionëve nuk pritet të ndodhin për së paku 5 vjet.
Dhe kjo për shkak të rrethit të transmetimit. “Ne jemi në bisedime të vazhdueshme me gjithë palët e interesuara dhe çdo vendim do të merret në pajtim me ta”, – ka thënë një zëdhënës i UEFA-s.
“Është shumë herët që të spekulojmë për ndryshimin e formatit të garës sonë të klubeve”. Qoftë në formatin e mëparshëm, si Kupa e Kampioneve, apo edhe në atë aktual, Liga e Kampioneve i zhvillon ndeshjet në mesjavë që prej vitit 1968.
Finalet e kësaj gare u zhvilluan në mesjavë deri në vitin 2010, por tani ato zhvillohen të shtunave. Ndeshjet në fundjavë do t’i përshtateshin audiencës televizive në Lindjen e Largët, por kjo do të kërkonte ndryshimin e orareve nëpër kampionatet e shteteve evropiane.