Gjergj Vyshka 06.05.2016 19:35
Adem Muhametaj, trajneri i Kamza Basket, ka qenë më shumë se sa i kënaqur me fitoren e Superkupës së Shqipërisë. Një trofe i dytë për këtë sezon për këtë skuadër, ndërsa sipas tij Vllaznia është një emër i madh i basketbollit shqiptar. “Ne kemi bërë një fazë të dytë shumë të mirë e për rrjedhojë kemi fituar dhe Superkupën”, – ka thënë ai pas triumfit.
“Nuk është e lehtë të luash ndaj Vllaznisë, një skuadër që ishte përgatitur për të marrë të gjitha trofetë e këtij sezoni, – ka vijuar trajneri i kamzalinjve. – Por ja që dy ia kemi marrë ne. Falënderoj familjen time për mbështetjen, por në të njëjtën kohë edhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, për mbështetjen. Finalet janë gjithnjë të vështira, aq më shumë që luanim në një fushë asnjanëse.”
“Mendoj se tashmë këtë gjendje të mirë do ta tregojmë dhe në “play-off”-in për titull “kampion””, ka thënë Muhametaj. Pyetjes së “Sport Ekspres” se kë do të preferonte në përballjen finale për titull kampion, Vllazninë apo Tiranën, Muhametaj do t’i përgjigjet: “Më keni zënë ngushtë, sepse si Vllaznia, ashtu dhe Tirana janë emra të mëdhenj në basketbollin shqiptar. Të kalojmë Teutën njëherë…”