AlbanianSport.com 06.05.2016 17:05
ASNN – Shprehja është “bëmë baba, të të ngjaj”, por, në kuadër të prirjes drejt barazisë gjinore, edhe ajo mbase duhet të ndryshojë në “bëmë mama, të të ngjaj”. Dhe kjo vlen për dy sportistë gjeorgjianë, të cilët do të garojnë në “Rio 2016”.
Nino Salukvadze, që do të garojë për herë të 8-të në Lojëra Olimpike do të ketë një koleg skuadre të veçantë: të birin e saj 18-vjeçar, Cotne Maçavariani. Kjo është hera e parë në histori të Lojërave Olimpike që një nënë dhe i biri i saj garojnë në një edicion.
Dyshja, që kanë shkathtësi që duket se buron në familje, do të përfaqësojë Gjeorgjinë në qitje me pistoleta në “Rio 2016” këtë verë. Salukvadze do të bëhet vetëm femra e dytë që ka garuar 8 herë në Lojërat Olimpike.
Ajo ka fituar tri medalje gjatë karrierës së saj, përfshirë edhe të artën në vitin 1988 në Seul. “Unë jam shumë e lumtur që do të jem përfaqësuese e Gjeorgjisë, por një milion herë jam më e lumtur që edhe i biri im ia ka dalë të kualifikohet”, – ka thënë 47-vjeçarja Salukvadze.