AlbanianSport.com 05.05.2016 15:25
ASNN – Asnjë ndryshim për Kombëtaren e Shqipërisë në renditjen mujore të FIFA-s. Në përditësimin e fundit, atë të muajit maj të renditjes botërore, skuadra kuqezi qëndron në vendin e 45-të.
Në këtë pozicion ishte edhe një muaj më parë pas humbjes në miqësoren me Austrinë dhe fitores në sfidën e fundit me Luksemburgun. Nuk ka ndryshime as në renditjen e rivalëve të Shqipërisë në grupin A të Euro 2016.
Zvicra mban vendin e 14-të, në vendin e 19-të është Rumania, ndërsa në vendin e 21-të organizatorët e Francës. Klasifikimi i përgjithshëm I FIFA-s kryesohet nga Argjentina, e ndjekur nga Belgjika dhe Kili.
Kështu, organizmi që qeveris futbollin botëror ka publikuar këtë të enjte renditjen e re me 200 ekipet që aderojnë në këtë organizatë. FIFA ndryshon çdo muaj renditjen e saj, por, ashtu si një muaj më parë, Shqipëria nuk ka ndryshuar pozicion.
Ajo renditet në vendin e 45-të. Kuqezinjtë kanë ruajtur vendin e mëparshëm edhe pas dy miqësoreve që zhvilluan në fund muajit mars. Pikërisht në këtë muaj djemtë e trajnerit Xhovan De Biazit humbën 10 vende, pasi ishin në pozicionin e 35-të.
Por si paraqitet renditja e ekipeve kundërshtare të Shqipërisë para Evropianit. Vendi organizator i “Euro 2016”, Franca, pozicionohet e 21-ta në renditje, ndërsa skuadra më e vlerësuar e Grupit A duket Zvicra, në vendin e 14-të dhe Rumania vjen e 19-ta.
Të tri kundërshtarët e Shqipërisë në Evropian mbajnë dukshëm pozicione më të vlerësuara në renditje. Por ajo që bie në sy është se të këto ekipe nuk kanë ndryshuar vendet e tyre referuar me një muaj më parë.