AlbanianSport.com 26.10.2014 22:25
ASNN – Dje paradite, në mjediset e brendshme të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, është prezantuar klubi më i ri i futbollit shqiptar, që është “Kevitan”. Drejtuesit e kësaj skuadre, e cila është formuar mbi baza vullnetare dhe që do të jetë për fëmijët në nevojë dhe për ata që janë në rrugë, kanë dalë në një konferencë për shtyp. Përpara gazetarëve të medias së shkruar dhe vizive kanë qenë koordinatori i këtij klubi Migrid Vataj, trajneri i ekipit Mark Vataj dhe portieri Bledar Malaj.
Klubi “Kevitan” ka dy risi: krijimin e të gjitha ekipeve zinxhir dhe pjesëmarrje në të gjitha aktivitetet futbollistike në rang kombëtar, si dhe t’u vijë në ndihmë të gjithë fëmijëve që janë në një situatë rruge, fëmijëve në nevojë dhe të gjithë atyre që ende nuk kanë gjetur hapësirat e nevojshme për të luajtur në një ekip futbolli. Kevitani është krijuar më 12 gusht të këtij viti, ndërsa presidenti i saj është Artan Singa.
Zanafilla e këtij klubi nis që në Londër, atje ku Kevitan Grup ka marrë pjesë në kampionatin e Nën-18-vjeçarëve të Ligës Amatore në Angli, ndërsa është drejtuar nga Pol Kurtua. Dhe më pas me iniciativën e Shefki Kuqit atëherë është kërkuar që një copë e Shqipërisë të ishte dhe në futbollin anglez. Dhe kështu kjo skuadër mori pjesë tek Nën-18-vjeçarët në Angli.
Ndërkohë në Shqipëri, për llogari të Kevitanit, pritet të vijë dhe ish-futbollisti i Totenhemit, Roni Rozental, i cili është menaxheri i Kevitanit për të gjithë botën. Skuadra tashmë i ka krijuar strukturat e saj, ndërsa bën stërvitje të rregullt në qendrën “Don Bosko” dhe si objektiv ka dalje kampion në Kategorinë e Tretë dhe daljen në Kategorinë e Dytë.