AlbanianSport.com 04.05.2016 20:10
ASNN – Basketbolli shqiptar i femrave ka dhënë sonte një tjetër trofe, atë të Superkupës së Shqipërisë, sfidë kjo që ka dhuruar një surprizë, pasi Tirana ka shtangur mbajtësen në fuqi të këtij trofeu, por edhe kampionen në fuqi dhe fituesen e Kupës, Flamurtarin, duke fituar me rezultatin 53-59, në takimin e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Më tepër sesa fitimi i këtij trofeu simbolik, që vë përballë kampionen në fuqi me fituesen e Kupës, apo, kur këto të dyja janë e njëjta skuadër, me ekipin finalist të Kupës, në këtë rast Tiranën, ky triumf i vajzave bardheblu të drejtuara nga trajneri Erdal Borova, ka sinjalizuar edhe një betejë interesantë në gjysmëfinalet e “play-off”-it për titullin në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit të Femrave.
Në fakt, sfida e sotme ka qenë një ndeshje mjaft e barazpeshuar, me Flamurtarin që fiton pjesën e parë 19-18 dhe me Tiranën që kundërpërgjigjet, duke e fituar të dytën 17-16 dhe duke bërë që, në pushim të ndeshjes, të dyja skuadrat të shkojnë me rezultatin e barabartë 35-35. 10-minutëshi i tretë ka vendosur fatin e ndeshjes, pasi Tirana e fiton atë 16-9, duke marrë kryesimin në 51-44.
Skuadra vlonjate, e drejtuar nga trajneri Viron Toska, e ka marrë pjesën e fundit 9-8, por kjo s’ka mjaftuar për të shmangur humbjen me shifrat 53-59. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Flamurtarin, që edhe në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt të kampionatit, u mund në Vlorë nga Goga Basket.
Ndërkohë, Tirana rigjen trofeun e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra pas plot 13 vjetësh, ku në 10 prej tyre ka triumfuar Flamurtari, ndërsa nga një herë Luftëtari dhe Flamurtari. Tanimë koshi shqiptar i vajzave bëhet gati për ndeshjen gjysmëfinale të e “play-off”-it për titullin në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit.
Flamurtari – Tirana 53-59
(19-18, 16-17, 9-16, 9-8)
Flamurtari: Kostallari (18), Zykaj (13), Plasa (6), Palko (9), Myrto (7) /Hysaj. Trajner: V. Toska.
Tirana: E. Bujari (18), G. Bujari (9), Hoxhaj (18), Aliaj (4), Komti / Gjoni (6), Jaçe (4). Trajner: E. Borova
Gjyqtarë: G. Cici, E. Koçi, G. Hoxha (Tiranë)