AlbanianSport.com 04.05.2016 11:35
ASNN – Pavarsisht se Rusia nuk e mbështeti me vote anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA, ministri rus i Sportit, Vitali Mutko, tha se Moska e pranon rezultatin e votimit. “Rusia nuk e mbështeti këtë vendim por futbolli evropian është demokratik, – është shprehur Mutko për mediat ruse. – Vendimi është marrë nga shumica dhe kjo gjë duhet të pranohet”.
Ndërkohë, mediat kosovare shkruajnë se presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Ralf Zloczover ka qenë thellësisht i dëshpëruar pas pranimit të Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit. Shume lojtarë të rëndësishëm të përfaqësueses së Zvicrës mund të largohen tek ajo e Kosovës tashmë qe Federata e kësaj të fundit është pranuar ne UEFA.
Rusia nuk ka përkrahur kërkesën e Kosovës për pranim në UEFA, por do të respektojë vendimin që doli nga Kongresi i së martës. Kështu ka thënë Vitali Mutko, ministri i Rusisë për Sportin. Të martën, në Kongresin e mbajtur në Budapest të Hungarisë, Kosova është bërë anëtarja e 55-të e Organizmit që qeveris futbollin Evropian dhe reagimet pas këtij vendimi ishin të shumta.
Natyrisht me qëndrim doli edhe Rusia e vlerësuar për kohë të gjatë aleate e Serbisë dhe vend që ka penguar ndërkombëtarizimin dhe përfaqësimin e sportit kosovar. “Rusia nuk përkrah këtë vendim, por futbolli evropian ka të bëjë me demokracinë, – ka thënë Mutko për agjencinë R-Sport. – Vendimi është marrë nga shumica dhe duhet respektuar.”
Rusia mund të jetë mikpritëse e Kosovës, nëse përfaqësuesja e kësaj të fundit ia del të mbyllë me sukses të plotë ciklin e parë eliminator në të cilin pritet të marrë pjesë, atë për Botërorin e vitit 2018. Nga ana tjetër, Federata e Futbollit e Serbisë ka kundërshtuar ashpër pranimin e Kosovës, por puna e bërë prej saj nuk dha fryte. Në fakt serbët po shkonin drejt realizimit të qëllimit kur nuk u votuan ndryshimet në statut.
Megjithatë situata në Kongres mori kahe tjetër dhe kërkesa e Kosovës për pranim mori 28 vota, që ishte minimumi i mundshëm për pranim.