AlbanianSport.com 03.05.2016 18:25
ASNN – Ishte fundi i marsit të vitit 2013 kur kampionia kombëtare e pingpongut, vajza matjane, Elda Gjoka, themeloi “BITT”-in. Si rrallëkush ajo i dhuroi qytetit të lindjes, Burrelit, një veprimtari të tillë, të bukur, joshës, promovues. Sipas saj, në një bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët institucionalë, Bashkinë e Burrelit, Federatën Shqiptare të Pingpongut, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Federatën e Pingpongut të Kosovës, Qendrën Ditore Multidisiplinare “Mati”, median e biznesin organizuan me sukses turneun e hapur në pingpong për të rritur & veteranë (meshkuj dhe femra).
Ky turne u realizua, nga data 19, deri më 21 prill 2013, në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” në Burrel. “BITT 2013” u pagëzua “Tribut Pasionit”. Asokohe Gjoka synoi dhe mundësoi mbërritjen në qytetin e Burrelit të sportistëve jo vetëm të Shqipërisë, por dhe nga vende të tjera të Ballkanit e më gjerë. “Burreli, – shprehet Gjoka, – e ka filluar që më 1986 traditën e tij në sportin e pingpongut dhe që atëherë është konsoliduar rruga e titujve kombëtarë që llogariten për Sportklub “31 Korriku”. Pati 4 vjet më parë rivalitet në garimet individuale për të rritur dhe veteranë (mosha mbi 40 vjeç).
Ish-kryetarja e Bashkisë Burrel, Adelina Farrici gjatë një prononcimi të katër viteve më parë do të deklaronte për “BITT”-in e parë: “Do të jetë kënaqësi që nën sloganin “Tribut Pasionit” t’ju uroj mirëseardhjen në emër të qytetarëve matjanë në Turneun e hapur ndërkombëtar në pingpong, edicioni i parë, që do të mbahet në Burrel në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” në data 19, deri më 21 prill 2013. Tradita sportive e matjaneve, mikpritja, qytetaria dhe festa sportive do të jenë kryefjalë e vizitës suaj në Burrel. Do të kemi kënaqësinë t’ju shfaqim atë anë tonën që na bën të dëshirueshëm e të respektuar kudo.”
“Bashkia Burrel dhe qytetarët e saj ju mirëpresin, dhe ju urojnë një eksperiencë të paharrueshme, siç edhe kanë qenë të gjitha eksperiencat edhe më parë në Turne Kombëtare të pingpongut ne Burrel”, – pati shtuar ajo. Ndërkohë nismëtarja e kësaj veprimtarie sportive, Elda Gjoka, u shpreh: “Të gjithëve na duhet të demonstrojmë mirënjohje për vendin nga vijmë, për ata që na rritën, dhe atyre që ne u detyrohemi. “BITT 2013 – Tribut Pasionit” nderon me shume se 27 vite tradite, dedikim dhe përkushtim në sportin e pingpongut të njerëzve që ëndërruan dhe bënë përpjekje për të përparuar shoqërinë dhe mirëqenien e saj nëpërmjet besimit dhe kultivimit të vlerave të sportit.”