Gjergj Vyshka 03.05.2016 07:55
Superiori është kampionia e parë e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Paratërejave, që këtë vit është luajtur i rregullt, ashtu sikurse ndodh me paratërinjtë, të rinjtë dhe të rejat, por dhe të rriturit e të rriturat. Hushi ka rezultuar heroina e ndeshjes, sepse në sekondat e fundit e ndeshjes ka qenë vendimtare për suksesin e Superiorit dhe fatale për Vllazninë.
Kishin mbetur nga loja 0 sekonda e 6 të dhjetat dhe Vllaznia kryesonte 58-59. Sulmi i fundit i kishte takuar Superiorit dhe pikërisht Burja, në faullin e saj të pestë ndal gabimisht Hushin, që për Canajn ka rezultuar ndalje jo normale. Ka protesta që nga lart nga prindërit shkodranë, por dhe nga lojtaret, të cilat kanë nisur të lotojnë. Elidon Beqo, trajneri i Superiorit që ka drejtuar këtë ekip dje në finale, e ka marrë veçmas Hushin.
E ka qetësuar dhe i ka dhënë më tepër kurajë për gjuajtjet e saj të lira. Dhe nuk ka gabuar, sepse Hushi ia ka shpërblyer besimin dhe gjithçkaje kësaj skuadre. 60-59 dhe nuk ka më kohë për rikuperim e në ceremoninë e dorëzimit të Kupës, trofeu i kampionit për para të rejat e Superiorit është dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani.