Gjergj Vyshka 02.05.2016 13:25
Pingpongu shqiptar ka shpallur kampionët e moshës deri në 18 vjeç, ndërsa ky kampionat, sipas informacionit që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Federate, Tonin Binoshi, është zhvilluar në Berat. Në të kanë marrë pjesë 13 ekipe, të cilët kanë sjellë në konkurrim 65 pingpongistë.
Në ditën e parë janë luajtur ndeshjet ekipore, atje ku Tomori për djem me trajner Ilir Shabani është shpallur “kampion”, teksa ka lënë nga pas Elbasanin dhe Burrelin. Kurse për femra titulli “kampion” ka shkuar për Teutën e trajnerit Musa Tërniqi. E pas durrsakeve janë renditur Tomori dhe Elbasani.
Ndërkohë, gjatë kësaj veprimtarie, Federata Shqiptare e Pingpongut ka nderuar me titullin “Mirënjohje” kampionen e Shqipërisë të viteve 1958, 1959 dhe 1960, Lejla Myshketën. Në garën individuale të djemve dueli ka qenë mes Sadush Tosunit të Elbasanit dhe Jani Gabeshit të Tomorit.
E kampion është shpallur pingpongisti beratas, kurse në vendin e 3-të është renditur Nertil Fuga. Për të reja, apo për vajza deri në moshën 18 vjeç kampione është shpallur Liridona Rexhaj, e cila ka lënë pas Alba Xhupin dhe Kamela Katillarin. Të gjithë këta pingpongistë do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik të moshës deri në 18 vjeç, i cili do të zhvillohet në Tivat të Malit të Zi, nga data 10, deri 15 maj 2016.