Gjergj Vyshka 29.04.2016 12:35
Ekipi i drejtuar nga Hasan Gurabardhi ka bërë fitoren më të bujshme të sezonit, teksa ka mundur 3-0 në finalen e tretë për titull Tiranën, që dje për habi të të gjithëve ka qenë në fushë më shumë se sa e dorëzuar. Barleti Volej e ka nisur shpejt setin e parë, ndërsa ka kryesuar që në fillim 5-1, 8-4, 16-12, 19-14 dhe fundi i setit të parë ka shënuar shifrat 25-15.
Trajneri bardheblu, Adrian Gorenxa, është munduar ta qetësojë, por dhe ta shkundi njëkohësisht skuadrën, e cila ka dhënë efekt, sepse në setin e dytë Tirana ka kryesuar 4-7 dhe 5-8. Mirëpo këtu frenohet dhe Barleti Voleji përmbys në 11-8, 16-13, 20-17, 20-19. Dhe këtu loja merr një tjetër rrjedhë, sepse bardheblutë barazojnë në 24-24, por dy pikët e fundit të setit janë shënuar nga Barleti Volej dhe 26-24.
Sërish e nis Tirana në avantazh setin e tretë 0-4, 7-8, 11-14, 15-16, 19-20. Por edhe këtë herë Tirana nuk ka forcë për ta çuar deri në fund setin dhe për të rihapur lojën, sepse përmbys Barleti Volej në 22-20 dhe fundi i setit 25-22 e 3-0. Gëzim i madh tek Barleti Volej për titullin e tretë radhazi kampion, që është festuar jo vetëm me presidentin Gafurr Dudaj, por dhe sponsorin Rogert Huqi.
Dhe pas shpërndarjes së medaljeve, kupën e kampionit kapitenes Enkelejda Braho ia ka dorëzuar presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, si dhe ai i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Barleti Volej – Tirana 3-0 (3-0)
(25-15, 26-24, 25-22)
Barleti Volej: Bici, Fagu (L), Xheka, Braho, Hasku, Xhixha, M. Tuci / Zeqirllari, Thaka, Xhelilaj. Trajner: H. Gurabardhi
Tirana: Paloka (Shkurti), Blloku, E. Tuci, Nezaj, Hoxha, Lasku (Kadriu), Sejfullai (L) / E. Meta, R. Meta, Pirra. Trajner: A. Gorenxa
Gjyqtarë: I. Fështi, T. Zguri (Tiranë)
Ndihmës: Ç. Kojku, L. Nurçe (Tiranë), T. Kacadei, G. Zuna (Durrës)