Kapiteni kuqeblu, Ndriçim Shtubina, është optimist për triumfedhe në vizitën e së shtunës. Garancia, rritja morale e skuadrës shkodrane përballë një skuadre kurbinase që vazhdon të humbë nga java në javë. Edhe pse në përballjet e këtij sezoni laçianët kanë një bilanc më të mirë ndaj Vllaznisë, këtë radhë duket se puna qëndron disi më ndryshe. Të shtunën kuqeblutë do të jenë mysafirë në stadiumin e Laçit dhe janë më të bindur se kurrë që mundësitë e tyre janë për të marrë pikë.
Fryma pozitive që ka përfshirë kampin kuqeblu, sidomos pas fitores së arritur të hënën e kësaj jave ndaj vlonjatëve, i ka mbushur ato me një besim të plotë se derbin verior do ta fitojë Vllaznia. I këtij mendimi është edhe kapiteni i kuqebluve, Ndriçim Shtubina, i cili personalisht po kalon një formë shumë të mirë sportive. Natyrisht që ai nuk mohon se Laçi gjatë viteve të fundit ka qenë një nga skuadrat e vlerësuara të kampionatit shqiptar, gjë e cila është shpërblyer edhe me fitimin e trofeve të Kupës së Shqipërisë.
Por, sipas tij, ky është një moment tjetër ballafaqimi, atje ku shanset janë që të jenë në favor të Vllaznisë. Këtu ai ka parasysh që kuqeblutë udhëtojnë të shtunën në Laç me një skuadër rritja e së cilës, si në aspektin tekniko-taktik, por sidomos edhe atë psikologjik, është në mënyrën më të mirë të mundshëm. Dhe gjithçka plotësohet edhe me kontigjentin e plotë të titullarëve, që janë në dispozicion për këtë ndeshje. Ndërkohë që në kampin tjetër kundërshtar, sipas tij, puna qëndron më ndryshe.
Kjo pasi humbjet e njëpasnjëshme e kanë futur Laçin në kolaps të vërtetë, aq sa, përpos humbjes së vendit të gjashtë, tashmë kërcënohet edhe për mbijetesë.