Gjergj Vyshka 29.04.2016 10:45
Barleti Volej është rikonfirmuar si kampione e volejbollit të femrave në Shqipëri, ndërsa mbrëmë është kurorëzuar për herë të tretë radhazi triumfatore në garën për titull. Madje ka fituar në ndeshjen e tretë finale me një rezultat bindës 3-0 përballë një Tirane jo si herët e tjera. Krejtësisht e dorëzuar, me shumë gabime deri amatoreske, e jo vetëm kaq, por dhe zhgënjyese. Është munduar të rivalizojë, por dhe atëherë kur ka qenë në epërsi, nuk ka pasur forcën e duhur për të marrë setin, gjë që në ndeshje të tjera ka treguar se di ta bëjë.
Sigurisht kjo është dhe për meritë të Barletit Volej, por dhe për vetë problemet që kalonte Tirana. Së pari, Blloku, për shkak të një dëmtimi në krahun e djathtë, gjë që përpara ndeshjes masazhatori i bardhebluve, Sabahat Kastrati, është mundur t’ia mpijë, nuk ka qenë në maksimumin e saj. Së dyti Esmeralda Tuci edhe për shkak të fatkeqësisë familjare, ndarja nga jeta e djalit të hallës, nuk ka qenë në maksimumin e saj.
Dhe në një ditë jo të mirë dhe të Shkurtit, Nezajt, apo dhe Laskut e Sejfullait, gjithçka tek bardheblutë ka qenë e zymtë. Fiks si e bërë me dorë për t’ia dhënë gati titullin kampion Barletit Volejit, që në fakt e ka merituar plotësisht atë. Por për atë rivalitet që pritej edhe për shkak të kualiteteve që Tirana ka në gjirin e vet, finalja e djeshme, e fundit e sezonit sportiv 2015-2016, nuk ka pasur aspak lidhje me atë që kanë prodhuar të dy skuadrat gjatë gjithë këtij sezoni. E thënë ndryshe një finale që nuk të lë asgjë për të mbajtur mend…