Gjergj Vyshka 28.04.2016 21:10
I pranishëm në këtë veprimtari ishte edhe një përfaqësi e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila ka mbetur e mahnitur jo vetëm nga organizimi model i kësaj veprimtarie nga ana e Bashkisë së Vau Dejës dhe i mbështetur nga Klubi “Vllaznia”, por edhe nga niveli cilësor i xhudistëve të “Klub Xhudo Anton Shkoza”. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, zëvendësministri i Sportit, Rauf Dimraj, deklaroi mbështetjen e këtij sporti nga ana e institucionit që ai drejton.
“Së pari, ajo që më bëri përshtypje në këtë veprimtari ishte një organizim i mirëfilltë për aspektin e pjesëmarrjes së disa shteteve, Shqipëri, Kosovë, Turqi, Kroaci, Mali i Zi, etj, – ja theksuar ai. – Një veprimtari që zhvillohet që nga moshat e vogla 3-4 vjeç dhe më lart, për meshkuj dhe femra. Kjo është një gjithëpërfshirje, e cila ndikon drejtpërdrejti në formimin e një edukate të përshtatshme të lëvizjes sportive. Njëkohësisht ndikon edhe për disiplinimin e fëmijëve tanë sipas rregullave që kërkon kurdoherë sporti, sepse këto përbëjnë edhe cilësinë e një qytetari të ardhshëm.” Sipas Dimrajt, shikohet që sporti i ka bashkuar të gjithë.
Në veçanti zëvendësministri i MAS-it ndalet tek një figurë shumë e njohur e sportit të xhudos, ish-xhudistit kampion Anton Shkoza, i cili sërishmi është tejet aktiv në organizimin dhe drejtimin e sportit të sportit të xhudos në Vaun e Dejës ku banon. “Më ka bërë përshtypje prania e z. Anton Shkoza nga Vau i Dejës, i cili ka bërë një kontribut të jashtëzakonshëm, madje edhe në botë do të thosha”, – ka theksuar Dimraj. – Një njeri i paralizuar të arrijë organizojë të gjithë fëmijët e Vaut të Dejës dhe çuditërisht ato fëmijë ishin më cilësorët. Që do të thotë që sporti i xhudos me këto përfaqësues të moshave të vogla dhe të rinj të Vaut të Dejës kanë një cilësi kombëtare dhe një cilësi premtuese për nivele ndërkombëtare.”
Duke vijuar të flasë për veprimtarinë, Dimraj tha se “ndeshjet ishin shumë të shëndetshme, shumë të mirëorganizuara me efekte të jashtëzakonshme fizike, atletike, sociale, miqësore, humanizmi dhe mbi të gjitha kjo mënyrë organizimi, kjo stërvitshmëri, që bëhet për të arritur këtë cilësi, është edhe sfida kryesore kundra sfidave negative që vazhdojnë të ekzistojnë në rininë tonë, që janë për shembull, substancat abuzive, etj”. Në vijim, zëvendësministri Dimraj komenton edhe një hendek që ekziston gjatë viteve të fundit në mes Federatës Shqiptare të Xhudos dhe klubit të Xhudos në Vaun e Dejës. “Federata Shqiptare e Xhudos mungon këtu dhe është për të ardhur keq”, – tha ai.
“Megjithatë sporti nuk është i asnjë federate, sporti është i rinisë, është i fëmijëve, i nxënësve, i rinisë shkollore, është i publikut dhe këtu kemi të bëjmë me koncepte të prapambetura që gradualisht po vijnë duke u thyer, – ka vijuar zyrtari i lartë i sportit shqiptar. – Sido që të jetë, ne shikojmë që kudo popujt e Ballkanit po bashkohen si asnjëherë në historinë e luftërave të egra të dikurshme dhe për të bërë një unifikim, jo më pastaj që brenda një federate këto gjëra nuk duhet të ekzistojnë. Madje Federata Shqiptare e Xhudos duhet të mburret me këtë cilësi të arritur sepse janë pikërisht disa fëmijë të këtij sporti të Vaut të Dejës, që do të përfaqësojnë ndërkombëtarisht dhe shtetin tonë, të cilët detyrimisht do të luftojmë për t’i mbështetur në mënyrë të veçantë dhe jo të shkojnë me shpenzimet e tyre.”
“Federata duhet të përqendrojë, të bëjë shpenzimet atje ku duhet, të bëja pra shpenzime me vetëdije, – ka vijuar Dimraj. – Nga ana tjetër, është me të vërtetë një shembull i shkëlqyer ky organizim, ky vetëmohim do të thosha i Anton Shkozës dhe do të kërkojmë që ta modelojmë punën e tij edhe në nivelet ndërkombëtare, ku do të shërbejë si një shembull krejtësisht pozitiv për këdo qoftë.” Madje Dimraj ka bërë të ditur se për xhudistët e Vaut të Dejës është shumë e interesuar dhe vetë ministrja Lindita Nikolla.