Gjergj Vyshka 28.04.2016 18:25
1/3-ta e klubeve anëtarë të Federatës Shqiptare të Mundjes kërkojnë Asamble të Jashtëzakonshme, atje ku kërkohet përjashtimi i presidentit aktual Martin Biba dhe e Komitetit Drejtues aktual. Tetë klube janë bërë bashkë për të përmbysur Federatën aktuale të Mundjes shqiptare. Edhe pse zgjedhjet janë kryer më 30 maj 2015, atje ku kanë qenë të pranishëm dhe përfaqësues të Federatës Evropiane dhe Botërore, sërish ky sport nuk duket se është rehat.
Nuk është rehat që nga momenti që ka pasur një ballafaqim mes drejtuesve aktual të Federatës Shqiptare të Mundjes dhe presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në sytë e ndërkombëtarëve, që nga momenti që ky i fundit është akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të mundjes shqiptare. E përtej kësaj, ndërsa dukej se asambleja vjetore e 30 janarit 2016 se i sheshoi problemet, sërish gjërat janë vështirësuar. Shkurt 1/3-ta e komunitetit të mundjes shqiptare kërkon asamble të jashtëzakonshme.
E kjo kërkesë e firmosur nga Kreshnik Leka (shefi i shumësportëshit Teuta), Gëzim Koka (shefi i klubit shumësportësh Besëlidhja), Dritan Frroku (shefi i klubit shumësportësh Tërbuni), Fatmir Efica (shefi i klubit shumësportësh Besa), Astrit Mukaj (shefi i klubit shumësportësh Apolonia), Viron Toska (shefi i klubit shumësporësh Flamurtari), Mels Tafa (shefi i klubit shumësportesh Korabi) dhe Mark Krroqi (shefi i klubit shumësportësh Vllaznia) i është drejtuar Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Federatës Botërore të Mundjes dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që më 11 mars.
“Për shkak të rezultateve negative në të gjitha pjesëmarrjet evropiane, botërore dhe garat kualifikuese të Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, për shkak të mospjesëmarrjes së mundjes klasike, apo quajtur ndryshe greko-romake, në garat kualifikuese të Lojërave Olimpike, çka vërteton dhe shkrirjen e këtij stili duke mos bërë asgjë për përmirësimin e kësaj situate, për shkak të keqmenaxhimit të Federatës me shumë probleme financiare, një prej të cilave është largimi i Muhamet Malos që për 45 ditë qëndrim si president dha 130 milion lekë dhe për më tepër për shkak të mosnjohjes së Federatës Shqiptare të Mundjes nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa kështu është refuzuar mbështetja e KOKSH për mundjen, atëherë ne kërkojmë asamble të jashtëzakonshme”, – thuhet në tekstin e formuluar me firmat e 8 shefave të klubeve, që përbëjnë 1/3 e anëtarëve të Federatës Shqiptare të Mundjes.
Madje ata e kanë taksative në kërkesën e tyre përjashtimin e presidentit aktual të Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba dhe të Komitetit aktual drejtues të saj. Madje sipas shkresës së formuluar, atje ku Asambleja e Jashtëzakonshme e Mundjes e kërkuar nga 1/3-ta e anëtarëve të saj, ky forum duhet të mblidhet jo më larg se dy muaj pas marrjes së kërkesës. Që do të thotë se kërkesa është formuluar dhe dërguar të gjitha institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare më 11 mars 2016 dhe, si e tillë, Asambleja e jashtëzakonshme, atje ku sipas kërkuesve do të bëhen zgjedhjet për president dhe anëtarë të Komitetit Drejtues, duhet të bëhet më 11 maj.
Tashmë është dhe një grup pune i përbërë nga Altin Shtjefni, Burhan Arapi dhe Julian Gjelaj. Dhe sipas parashikimeve në statutin e Federatës Shqiptare të Mundjes, gjithnjë nëse Komiteti Drejtues aktual nuk merr masa për organizimin e Asamblesë së Jashtëzakonshme të Mundjes, është Altin Shtjefni. Tashmë pritet reagimi i Federatës Shqiptare të Mundjes, por do të ishte “non-sens” dhe fatkeqësi më tepër nëse do të kishim përsëri dy Federata, gjë që në fakt në mundjen shqiptare ka ndodhur rreth 7 vjet më parë. Situatë jo normale, por tashmë është e dukshme, një pjesë e komunitetit të mundjes kërkon Asamble të Jashtëzakonshme për zgjedhjen e forumeve të reja.