Gjergj Vyshka 28.04.2016 17:30
Kupa e fundit që ka ngritur dje Elton Tukseferi si kapiten i Studentit, sepse pas gati 30 vjetësh, një karrierë që ka nisur si fëmijë e për të vazhduar deri në ditët e sotme, ka vendosur që të thotë: “Mjaft!” Dhe pse ngacmohet, sepse të gjithë jemi mësuar, gazetarë e sportdashës që Tukseferi të jetë gjithnjë në krye të Studentit, nuk duket se ka kthim pas. “Nuk ka kthim pas, – thotë Tukseferi, – sepse mendoj se është koha për të hapur rrugë dhe për të parë një tjetër sfidë nga ana ime.”
“Sigurisht që është një karrierë shumë e pasur që nga Tirana, Studenti, Dinamo dhe Studenti, – ka vijuar ai. – Studenti është rritur bashkë me mua dhe anasjelltas. Janë të gjitha kulme që i kanë shërbyer karrierës sime si lojtar”. Duke vijuar më tej, Tukseferi dje ka qenë i përlotur, ndërsa ka zbuluar dhe një sekret: “Të martën kur kam bërë stërvitjen e fundit këtu në sallën kryesore në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” kam qenë duke qarë në pjesën më të madhe të saj.”
“Është një jetë dhe nuk mund të harrohet kurrë, – ka vijuar ai. – Falënderoj këtu trajnerin e Studentit, Ylli Tomorri, për gjithçka që kemi kaluar bashkë. Mbi të gjitha shokët e udhës sime duke nisur Klodian Kasa, Altin Gorenxa, Blerim Memia, Genti Lundra. Apo dhe të tjerë që nuk luajnë sot si Roland Tarja, Andi Lundra, Bledar Doçi e shumë të tjerë me të cilët kam kaluar pjesën më të madhe të karrierë. Kuptohet dhe pa harruar pjesën e lojtarëve që ishin pjesë e këtij Studenti këtë sezon.”
Një sezon i lodhshëm duke luajtur të mërkurën e të shtunën? Kjo ka qenë pyetja për Tukseferin, i cili i është përgjigjur: “Sezoni ishte i lodhshëm, por i bukur. Ndihem me fat pasi e gjithë karriera ime ka qenë vërtetë shumë e bukur me shumë tituj, por edhe me humbje. Nuk do t’i hiqja asgjë, pasi edhe humbjet më kanë ndihmuar që të mësoj më shumë. Sot (dje) jam shumë i gëzuar, por edhe i trishtuar në të njëjtën kohë. I lumtur pasi fituam kampionatin, por i hidhëruar pasi po i jap fund karrierës si lojtar, por tashmë do të ketë një rrugë tjetër.”