Mbi 250 xhudistë të grupmoshave, përfaqësues të shteteve të rajonit, garuan në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës në një turne ndërkombëtar që tërhoqi vëmendjen e publikut shkodran.
I pranishëm në këtë veprimtari ishte edhe një përfaqësi e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila ka mbetur e mahnitur jo vetëm nga organizimi model i kësaj veprimtarie nga ana e Bashkisë së Vau Dejës dhe i mbështetur nga Klubi Vllaznia, por edhe nga niveli cilësor i xhudistëve të “Klub Xhudo Anton Shkoza”.
Në një prononcim për “Sport Ekspres”, zëvendësministri i Sportit, Rauf Dimraj, deklaroi mbështetjen e këtij sporti nga ana e institucionit që ai drejton.
Për sa i përket garës në tapet, pas shumë ndeshjeve që zgjaten deri në 5-6 orë, ekipi më i mirë u shpall ai i Turqisë i cili siguroi fitimin e 10 medaljeve të arta, ndërsa në vend të dytë me 9 medalje të arta u rendit Klub Xhudo “Anton Shkoza” i Vaut të Dejës dhe në vend të tretë Klubi “Trepça” i Kosovës.