AlbanianSport.com 27.04.2016 08:45
ASNN – Kanë mbetur dhe pak ditë për regjistrimin e pjesëmarrësve të “BITT 2016 – Tribut për Matin”, turneun e hapur ndërkombëtar të pingpongut, që do të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 maj 2016 në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” të Burrelit. Elda Gjoka, drejtoreshë dhe themeluese e BITT-it ka kërkuar që stafi i kësaj veprimtarie dhe sportdashësit të ndihmojnë në shtimin e pjesëmarrësve në këtë veprimtari të bukur dhe mbresëlënëse. Pas kryebashkiakut të Matit, Nezir Rizvani, Presidentit të Federatës Shqiptare të Pingpongut, Arben Meçe, Presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, mbështetja për këtë veprimtari vjen nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Pikërisht presidenti i saj, Viron Bezhani, bekon “BITT 2016”, nëpërmjet një mesazhi publik. “Familja Olimpike ka në zemër të saj sportin dhe vlerat njerëzore si instrument për paqen, zhvillimin, garën e ndershme, ekselencën, miqësinë dhe lojën e bukur, – shkruan Bezhani në mesazhin e tij. – Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, tashmë në mbështetje të vazhdueshme ndaj nismave kombëtare dhe ndërkombëtare, mbështet “BITT 2016 – Burreli Open International Table Tennis” dhe projektin e Federatës Shqiptare të Pingpongut dhe asaj të Çiklizmit.
“Kjo është një ngjarje që kombinon gjithçka nga cilësitë që përmenda më lart, por edhe standardet organizative dhe punën në skuadër mes partnerëve organizatorë kombëtarë dhe vendorë”, – vijon kreu i KOKSH-it. Ai vlerëson faktin se, për 4 vite me radhë, në qytetin verilindor organizohet një veprimtari kaq të rëndësishme, tërheqës dhe i fortë. Bezhani nuk heziton të inkurajojë Bashkinë e Burrelit për vullnetin e mirë, dëshirën dhe pasionin që ka në mbështetje të “BITT 2016”. Në vijim të mesazhit të tij Viron Bezhani shkruan se: “Organizimi për të 4-tin vit në Burrel i BITT është një shembull triumfi i vullnetit të mirë të Bashkisë Burrel dhe Mat, pasionit për sportin, dëshirës për zhvillim dhe respektit për traditën e vendlindjen nëpërmjet sportit, por duke i dhënë vlerë turizmit, mjedisit, miqësisë dhe shkëmbimit kulturor.”
“Qoftë pingpongun, apo çdo sport tjetër, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka gjithnjë vëmendje të veçantë për të mbështetur iniciativa që sjellin vlerë të shtuar dhe lënë trashëgimi për brezat”, – thekson Bezhani. Ai shton se nga këto veprimtari synohet të kultivohet edhe më tej dashuria për një jetë cilësore me anë të sportit, shëndet të mirë dhe identifikimit të talenteve të së ardhmes, e më lart edhe të medalistëve të ardhshëm Olimpikë. “Ju inkurajoj të bëheni pjesë e kësaj ngjarjeje të hapur ndërkombëtare për të gjitha kategoritë e moshave dhe entuziastëve sportivë. Mirëutakofshim në Burrel në “Tribut për Matin” më 27-29 Maj 2016. Ju lë takim aty!”, është apeli i Bezhanit.