AlbanianSport.com 26.04.2016 17:55
ASNN – Në datat 21 dhe 22 prill 2016 në Elbasan, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, është zhvilluar Kampionati i Shahut të Shkollave 9-vjeçare të këtij qytetit, për djem dhe vajza. Në garën e vajzave morën pjesë 12 nxënëse kryesisht nga klasat e 8-ta dhe të 9-ta. Vendin e parë e fitoi Suela Biba e Shkollës “Naim Frashëri”, vendin e dytë e fitoi Esmeralda Sejdini e Shkollës “Ptoleme Xhuvani”, kurse vendin e 3-të e ndanë mes tyre në mënyrë të barabartë Eranda Topalli e Shkollës “Jorgji Dilo” dhe Hajrie Sallja e Shkollës “Qamil Guranjaku”.
Që të dyja takimet për vendin e tretë përfunduan në barazim. Për djem vendin e parë e zuri Mikel Vlashi, nxënës i klasës së 9-të i shkollës “Ptoleme Xhuvani”. Vendin e dytë e zuri Laurent Dedja, klasa e 8-të, Shkolla “Jorgji Dilo”. Në vend të 3-të doli Rei Dunja, klasa e 9-të, Shkolla “Fadil Gurmani”. Në vend të 4-t ishte Flogert Gjini, klasa e 7-të, Shkolla “Naim Frashëri”. Në garën e djemve, ku morën pjese 11 veta, u dallua dhe Garip Jupa, një djalë trupvogël, nxënës i klasës së 6-të të Shkollës “Qemal Haxhihasani”.
Ky djalosh inteligjent, që fitoi shpejt në turin e parë eliminator (kampionatet u zhvilluan me sistem eliminimi), pati një lojë të fituar edhe në turin tjetër, të cilën e humbi për mungesë të përqendrimit në fund të ndeshjes. Veprimtaria ishte përgatitur me seriozitetin e duhur dhe u zhvillua në kushte të mira. Për këtë kanë meritë drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Elbasan, Martin Kushi dhe përgjegjësi i sektorit të sporteve pranë kësaj qendre Gazmend Palloshi.