AlbanianSport.com 25.04.2016 22:50
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar te Futbollit ka luajtur të hënën pasdreke ndeshjet e javës së saj të 31-të dhe padyshim, takimi më i spikatur ka qenë ai që u luajt në Kukës, midis skuadrës vendase dhe Partizanit.
Kjo ndeshje, që u luajt ne Stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka vënë përballë njëri-tjetrit vendasit, që mbanin vendin e 3-të të renditjes, me të kuqte kryeqytetas, që mbanin vendin e dytë dhe janë përfshirë në një betejë të ethshme për titullin “kampion” me Skënderbeun.
45 minutat e para te ndeshjes janë mbyllur me rrjeta të paprekura, ashtu siç ka ndodhur edhe me ato të dytat dhe, vetëm në minutën e 4-t shtesë, Partizani ka gjetur golin e fitores, me anë të Sukajt, që ekzekuton mjeshtërisht një goditje të lirë, duke marre 3 pikë të arta.
Nga ana tjetër, kjo humbje e lë Kukësin në vendin e 3-të të renditjes, por tashmë me pikë të barabarta, 52, me Teutën, që ka fituar të hënën 4-1 në Puke ndaj Tërbunit vendas. Në krahun tjetër të renditjes, Vllaznia ka marre një fitore të çmuar, 2-1, në Shkodër ndaj Flamurtarit.
Në një tjetër duel mbijetese, Bylisi ka mundur minimalisht në fushën e vet Laçin, duke i tërhequr kurbinasit në zonën e ftohtë të renditjes dhe duke kapërcyer në renditje mbi Flamurtarin.
Takimi i fundit i kësaj jave, ai midis Tiranës dhe Skënderbeut, i cili është luajtur në mbrëmje, është mbyllur me fitoren e korçarëve me një gol të vetëm, të shënuar në fund nga Hamdi Salihi. Ndeshja nisi me 30 minuta vonesë, pasi fusha ishte në gjendje të rënduar për shkak të reshjeve të shiut.