AlbanianSport.com 23.04.2016 14:35
ASNN – Shqipëria do të ndeshet me Italinë në Eliminatoret e Botërorit 2018, por më parë do të luhet një tjetër sfidë midis dy përfaqësueseve në të anët e Adriatikut. Kjo përballje do të jetë një miqësore mes përfaqësueseve të 21-vjeçarëve, sipas trajnerit të Kombëtares Shpresa, Redi Jupi.
Data e takimit do të jetë më 10 gusht 2016 dhe mund të zhvillohet në stadiumin e San Benedetos, me një kapacitet rreth 15 mijë spektatorë, por kjo ende nuk është zyrtarizuar. Në fakt, Shpresat e Shqipërisë dhe ajo e Italisë së 21-vjeçarëve janë ndeshur disa herë.
E fundit ishte në vitin 2007, në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit të kësaj grupmoshe. Kjo miqësore do të jetë një provë para ndeshjeve eliminatore të Euro 2017-ës me Greqinë dhe Izraelin. Shpresat do të luajnë edhe dy miqësore muajin e ardhshëm, por ende nuk janë përcaktuar rivalët.