Gjergj Vyshka 23.04.2016 07:55
Altin Rraklli nuk është më trajneri i kombëtares së femrave të Shqipërisë, ndërsa ka dhënë dorëheqjen. Edhe pse zëdhënësja për shtyp e Federatës Shqiptare të Futbollit, Jona Dervishi, është ngacmuar për arsyet e dorëheqjes së Rrakllit, ndërsa përfaqësuesja kuqezi me atë në krye është përfshirë nga një valë skandalesh seksuale, ka pasur anashkalim.
Thjesht dhe përgjigje e thatë: “Arsye personale”. Përtej kësaj në krye të kombëtares së futbollit të femrave është vendosur Armir Grima dhe ndihmësi i tij do të jetë Vioresin Sinani. Shqipërisë në futboll për femra i kanë mbetur dhe dy ndeshje deri në përfundimin e kualifikueseve të Kampionatit Evropian 2017, më 2 qershor me Rumaninë dhe në shtator me Francën.
“Dua ta falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit dhe presidentin Armando Duka për besimin dhe për vlerësimin që më kanë bërë, – ka thënë ai. – Sigurisht që duke qenë se janë katër skuadra në Shkodër bërthama e kombëtares atje do të jetë. Ne premtojmë përkushtim dhe dërgim përpara të punës së nisur nga Rraklli. Kanë mbetur dhe dy ndeshje e ne do të përpiqemi të jemi dinjitozë.”
“Po kështu do të nisim që tani përgatitjet për Eliminatoret e Botërorit të ardhshëm, – ka vijuar Grima. – Nëpërmjet ndihmës së FSHF-së do të mundohemi të ndjekim dhe lojtaret që janë jashtë.” Ndërkohë Vioresin Sinani e ka lënë të hapur një bashkëpunim me Vllazninë. “Unë kam rreth një vit që jam larg Vllaznisë, ndaj dhe ju përgjigja pozitivisht ftesës së mikut tim Armir Grima për të qenë pjesë e kombëtares së femrave”, – tha ai. “Në një kohë më të përshtatshme mund të diskutojmë për Vllazninë, por tani për tani nuk e mendojmë”, – ka sqaruar ish-futbollisti kuqeblu. “Premtojmë se do të bëjmë më të mirën”, – ka përfunduar Sinani, ndërsa tashmë dyshja shkodrane është vënë në krye të kombëtares së femrave.