AlbanianSport.com 22.04.2016 14:35
ASNN – I riu Rei Manaj nuk e fsheh ambicien e tij: “Dua të luaj me kombëtaren në finalet e Euro 2016 në Francë”. Në një intervistë për kanalin televiziv zyrtar të Interit, Rei Manaj, ka zbuluar dëshirën e tij për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare në Evropianin “Francë 2016”. Futbollisti 19-vjeçar rrëfeu gjithashtu se, për të shkuar te Interi, refuzoi ofertën e Juventusit.
Rei Manaj nuk fshihet dhe pas debutimit me kombëtaren e parë në miqësoren kundër Kosovës kërkon të jetë pjesë e saj edhe në “Euro 2016”. Sulmuesi 19-vjeçar që luan me Interit zbuloi ëndrrën e tij të madhe në një intervistë në televizionin e klubit zikaltër. “Evropiani është një objektiv i madh për mua, shpresoj ta realizoj këtë arritje”, – ka thënë ai.
“Me fanellën e Kombëtares time shënova në debutim pas vetëm 12 sekondash dhe është diçka për të cilën jam krenar, – ka vijuar futbollisti i Interit. – Por tani shpresoj të shënoj dhe në ndeshjet e Evropianit”. Në intervistën e tij për “Inter Channel”, Manaj rrëfeu edhe aventurën e tij në skuadrën e parë të drejtuar nga Roberto Mançini. Por për t’u veshur zikaltër, ai zbuloi se kishte refuzuar edhe një ofertë nga Juventus.
“Kishte shumë skuadra që më ndiqnin, por unë kam qenë gjithmonë internist, – ka pohuar futbollisti, duke fituar natyrisht simpatinë e tifozëve zikaltër me fjalët e tij. – Kujtoj se gjatë sezonit nuk doja të mendoja për asgjë dhe të përqendrohesha vetëm në fushë. Pastaj më thanë se Inter dhe Juventusi ishin interesuar për mua dhe unë nuk pata asnjë dyshim se ku do të shkoja.”
Për shkak të rivalitetit të madh në repartin e sulmit, Rei Manaj ka gjetur pak hapësira te Interi në Serinë A, por është një nga protagonistët e skuadrës së të rinjve, duke e ndihmuar atë të fitojë edhe Kupën e Italisë në finalen kundër Juventusit.