AlbanianSport.com 21.04.2016 23:35
ASNN – Studenti ka fituar takimin e parë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion” të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj, duke mposhtur të enjten Tiranën me rezultatin 3-1. Kjo sfidë u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar si dhe në kanalin e dytë tokësor, TVSH 2.
Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka luajtur enjten në mbrëmje aktin e parë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion”, që ka vënë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që rivalizojnë në këtë vitet e fundit, Studentin dhe Tiranën. Kjo ndeshje u luajt në sallën qendrore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Dy setet e para të kësaj finaleje kanë qenë të luftuara pikë për pikë.
Dhe, në të parin, është Studenti që triumfon me shifrat 26-24. Por Tirana reagon në setin e dytë, duke e marrë atë me rezultatin 25-23 dhe duke premtuar të kishim një sfidë të luftuar deri në fund. Por, nuk ka ndodhur kështu, pasi dy setet e tjera janë dominuar nga ekipi i trajnerit Ylli Tomori dhe Studenti i fiton ato përkatësisht 25-17 dhe 25-19 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1.
Siç dihet “play-off”-i final konsiston në 5 ndeshje dhe skuadra që fiton 3 prej tyre shpallet “kampione”. Ndeshja e dytë luhet të dielën, më 24 prill, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Të premten luhet ndeshja e parë të finales së “play-off”-it për titullin “kampion” të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femre, ku kampionia në fuqi, Barleti Volej, do të sfidohet nga Tirana.