AlbanianSport.com 20.04.2016 18:45
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë do të diskutohet, për të dytin vit radhazi, nga të njëjtat finaliste, Kukësi dhe Laçi, të cilat kanë triumfuar në duelet e tyre gjysmëfinale, përkatësisht ndaj Flamurtarit dhe Skënderbeut. Verilindorët e kanë fituar edhe ndeshjen e kthimit ndaj Flamurtarit, ndërsa kurbinasit kualifikohen falë golit të shënuar në fushë të huaj ndaj korçarëve.
Do të jenë, për të dytin sezon radhazi, Kukësi dhe Laçi, dy ekipet që do të diskutojnë midis tyre trofeun e Kupës së Shqipërisë. Kjo është vendosur të mërkurën pasdite, pas përfundimit të ndeshjeve të kthimit të gjysmëfinaleve të veprimtarisë së dytë të futbollit në vend. Pasi e kishte fituar ndeshjen e para dy javëve në Vlorë me rezultatin 2-0, Kukësi ka vijuar ta përsërisë edhe në fushën e vet një fitore me të tilla shifrat, duke dëshmuar se e meritonte plotësisht vendin në finale kundrejt vlonjatëve.
Ndeshja e kthimit, e luajtur në Stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i ka mbyllur me rrjeta të paprekura 45 minutat e para. Por dy gola të shënuar në pjesën e dytë, fillimisht me anë të shqiptarit të Maqedonisë, Emini, nga pika e bardhë në minutën e 70-të dhe të brazilianit Flores, 8 minuta para fundit, firmosën triumfin e verilindorëve.
Ata shkojnë kështu për të tretin sezon radhazi në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku deri më tani kanë dështuar. Finalisti tjetër i këtij sezoni është fituesja në fuqi e këtij trofeu, Laçi, e cila është mundur 1-2 nga Skënderbeu, në ndeshjen e kthimit të zhvilluar të mërkurën në Korçë, por i është falur golit të realizuar në fushë të huaj, pasi e kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë.