Gjergj Vyshka 20.04.2016 16:15
Trajnerët shqiptare duket se do të jenë “kokat e turkut” për dështimin e peshëngritësve tanë në Evropianin e Norvegjisë. Pasi i ka falënderuar për punën e bërë deri tani, Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjozaj, pohon se e vetmja zgjidhje për të ringritur shtangën është ardhja e një trajneri të huaj.
“Janë heronj të kësaj pune, por për të arritur nivele të larta duhet një punë e specializuar dhe e kualifikuar, – thotë ai. – Kemi trajnerë rusë që na janë vetëofruar.” Pavarësisht garave në Evropian dhe kritikave për strategjitë e ndjekura për Lojërat Olimpike, presidenti Gjozaj pohon me bindje se Briken Calja është i kualifikuar për në “Rio 2016”.
“Ne do të shkojmë në Olimpiadë, pasi Briken Calja është i kualifikuar me rezultatin e arritur në Hjuston të Shteteve të Bashkuara, – këmbëngul kreu i organizmit që qeveris shtangën shqiptare. – Është i 6-ti në Kampionatin Botëror, në renditjen e përgjithshme të peshës është i 12-ti.”
Pra detyrimisht shkon në olimpiadë. Madje shkon edhe Evangjeli Veli”, thotë Gjozaj. Presidenti Gjozaj është më optimist se ç’duhet, por për të konfirmuar këtë deklaratë duhet të pritet 20 qershori, ditë kur do të publikohet renditja përfundimtare e peshëngritësve të kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.