Për ndeshjen me Flamurtarin kuqeblutë do të kenë në dispozicion tre futbollistët e skualifikuar me kartonë, të cilët munguan në përballjen me Partizanin. Bëhet fjalë për malazezin Stefan Cicmil që, në fakt, në përballjen me Teutën u ndëshkua me të kuqe, si dhe dyshen Bardulla-Krymi, edhe këto të skualifikuar, por me tre kartonë të verdhë.
Por nuk është e thënë që trajneri Armando Cungu të gjejë qetësinë e duhur, qetësi që realisht që kur ka marrë drejtimin e Vllaznisë për efekt të mungesa të vazhdueshme javë për javë nuk e ka pasur asnjëherë. Kthehen tre të penalizuar, por dy të tjerë shkojnë në vendin e tyre.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë Denis Pjeshka, një nga alternativat primare të Cungut për krahun e djathtë të repartit të mbrojtjes pas dëmtimit të titullarit Polizoi Arbri. Kartoni i verdhë që gjyqtari Jemini i akordoi në përballjen me Partizanin ka qenë i treti duke e penalizuar të luajë këtë javë ndaj Flamurtarit.
Dhe mungesa e tij ka sjellë një shqetësim serioz për stafin teknik për vete faktin se edhe Erdenis Gurishta, edhe pse po stërvitet me skuadrën, duket se akoma nuk është gati për fushën e lojës. Me të njëjtin penalizim është shqiptaro-malazezi me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Runildo Rudoviç.
Për të, e verdha e së dielës ndaj të kuqve ishte e treta duke e lënë edhe atë jashtë për ndeshjen e së hënës së ardhshme me Flamurtarin.