AlbanianSport.com 20.04.2016 12:55
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Arben Meçaj, dhe themeluesja e BITT-it, Elda Gjoka, shprehen se “BITT 2016 – Tribut për Matin” do të kthehet në një festë të bukur sportive dhe vlerash të kësaj krahine të njohur të vendit. “Federata Shqiptare e Pingpongut është veçanërisht e kënaqur që arrin të ketë tashmë traditën e BITT të përvitshëm në kalendarin e saj dhe që rrethi gjeografik po zgjerohet çdo vit e më shumë”, – ka deklaruar Meçaj.
“Është kënaqësi që në bashkëpunim me Bashkinë e Matit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Federatën Shqiptare të Çiklizmit dhe partnerët e tjerë të vijojmë këtë traditë”, – ka shtuar kreu i organizmit që qeveris pingpongun shqiptar, i cii në vijim ka thënë se ky sport do të marrë vëmendje më të madhe dhe organizimi i BITT-it është shembulli më i mirë i rritjes së këtij sporti. Ashtu si kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, edhe Presidenti i FSHPP-së vlerëson misionin e sportit.
“Sporti rrit dhe mban miqësinë mes njerëzve dhe e kthen këtë miqësi në traditë dhe në eksperiencë njerëzore të gëzueshme sa edhe konkurruese”, – ka shtuar Nezaj. Ndërkohë drejtoresha e BITT-it dhe themeluesja e tij, Elda Gjoka nënvizon se “BITT 2016-Tribut për Matin” do të nisë me etapën çiklistike Tiranë-Burrel, 89 km e gjatë. E më pas veprimtaria do të jetë e hapur në pingpong, për të rritur dhe veteranë, meshkuj e femra.
“Në emër të organizatorëve të “BITT 2016”, – deklaron Elda Gjoka, – kam kënaqësinë të ftoj të pasionuarit e pingpongut që të gjithë së bashku të mblidhemi në këtë festë sportive të rajonit e më gjerë. Në tre ditë t’i kthejmë në pikë takimi të përbashkët, garimi sportiv, argëtimin, dashurinë për sportin dhe trevën”.