Menjëherë pas analizës, e cila ka përfunduar aty rreth orës 18:00 skuadra kuqeblu është përqendruar në procesin stërvitor, madje tejet intensiv. Aq sa për të përmbushur të gjithë programin e hartuar nga trajneri Cungu për këtë ditë është dashur të konsumohen disa minuta edhe nën hijen e muzgut të rënë mbi Fushën Sportive “Reshit Rusi”. Ajo që ka tërhequr vëmendjen ka qenë mungesa e dy futbollistëve të mesfushës, të rinjve Abroz Kapaklia dhe Erald Çinari.
Për shkak të problemeve fizike që ato kanë në vetvete, që të dy futbollistët e kanë pasur të pamundur të stërviten me skuadrën. Siç është ndjekur direkt edhe nga shikuesit e shumtë në stadium dhe përmes ekranit të televizorit, pas dëmtimit të rëndë të pësuar në pjesën e dytë të ndeshjes, Kapaklia është dërguar urgjentisht në spitalin e Tiranës, ku edhe ka marrë mjekimin e specializuar.
Fatmirësisht gjendja e tij është përmirësuar duke u mundësuar udhëtimi veçmas skuadrës për në Shkodër, por duke qenë se normalizimi i tij akoma nuk është në nivelin e duhur stafi mjekësor e ka rekomanduar të qëndrojë pushim. Një gjë e tillë është rekomanduar, të paktën për ditën e djeshme, edhe për Çinarin, problemet fizike të cilit janë vazhdë e javëve të mëparshme.