AlbanianSport.com 20.04.2016 08:45
ASNN – Kukësi-Flamurtari dhe Skënderbeu-Laçi janë dy çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, të cilat luajnë sot ndeshjet e kthimit. Ndeshjet e para janë fituar nga përkatësisht nga Kukësi 2-0 dhe nga Laçi 1-0. Të dy takimet luhen sot, duke nisur nga ora 15:30 dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të transmetojë drejtpërdrejt sfidën Kukësi-Flamurtari.
Kështu, veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, luan sot ndeshjet gjysmëfinale të kthimit, në përfundim të të cilave do të përcaktohen dy skuadrat finaliste. Të dy takimet luhen në orën 15:30 dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të transmetojë drejtpërdrejt sfidën Kukësi-Flamurtari. Ndeshja e parë, e luajtur në Vlorë, është mbyllur me fitoren 2-0 të skuadrës veriore.
Trajneri I Kukësit, Klodian Duro, kërkon me ngulm trofeun e Kupës së Shqipërisë. Ndaj ka kërkuar nga lojtarët e tij përqendrim maksimal. Ky trofe do të thotë pjesëmarrje direkt në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm. Ndërsa Flamurtarit i duhet të përmbysë humbjen 2-0 të pësuar në ndeshjen e parë. Megjithatë, duket se do të jetë një mision i vështirë ky për vlonjatët.
Në Korçë, luhet gjysmëfinalja tjetër ajo midis Skënderbeut dhe Laçit. Ndeshja e parë, e luajtur në Laç është mbyllur me fitoren 1-0 të vendasve. Edhe pse Skënderbeu po kalon një situatë jo të mirë, si pasojë e humbjes me Tërbunin fundjavën e kaluar në kampionat, trajneri Josa u ka kërkuar futbollistëve të tij që t’i lenë pas ato çka kanë kaluar dhe të përqendrohen maksimalisht në këtë sfidë.