AlbanianSport.com 19.04.2016 07:55
ASNN – Megjithëse Turneu “BITT 2016” do javë që të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” Burrel, organizatorët vijojnë përgatitjet. Elda Gjoka dhe kolegët e saj kanë shtuar kontaktet me të interesuarit që duan të jenë të pranishëm në këtë veprimtari.
Siç është traditë “i zoti i shtëpisë” është i pari që u thotë pjesëmarrësve “Mirë se vini!”. Kryebashkiaku i Matit, Nezir Rizvani, ka publikuar dje një urim për sportistët, që kanë dëshirë të jenë garues në “BITT 2016”.
Ndër të tjera ai shkruan: “Burreli mirëpret për herë të katërt BITT – Turneun e Hapur Ndërkombëtar të Pingpongut. Është kënaqësi që në emër të Bashkisë së Matit të inkurajoj të na vizitoni dhe të merrni pjesë në “BITT 2016 – Tribut për Matin”, duke përjetuar eksperiencën dhe atmosferën mikpritëse e dashamirëse në Mat.”
“Sporti është një mjet që tejkalon barrierat dhe krijon mundësinë që të takohemi çdo vit në qytetin tonë, – vijon ai. – Përfaqësuesit e të gjithë brezave dhe shteteve janë të mirëpritur dhe unë ju siguroj që jemi të përkushtuar, bashkë me partnerët organizatorë, që eksperienca juaj të jetë e këndshme.”
“Ju mirëpres në Burrel”, – përfundon mesazhi i Kryetarit të Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani, drejtuar sportistëve, klubeve apo Federatave që kanë dëshirë të jenë pjesëmarrës në “BITT 2016”.