AlbanianSport.com 17.04.2016 21:20
ASNN – Skënderbeu i futbollit të femrave ka shkëlqyer në sytë e presidentit Ardjan Takaj. Hera e parë që “bosi” i kampionëve ka ardhur të shoh një ndeshje të Skënderbeut në futboll për femra dhe vajzat e kanë shpërblyer besimin e tij, teksa kanë fituar 4-1 ndaj Juban Danjës.
Janë shënuar katër gola, njëri më i bukur se tjetri e duket se Skënderbeu po rilind për të qenë sezonin e ardhshëm një pretendent i fortë për titull kampion. Në fakt dje ka qenë një ditë më shumë se e veçantë, pasi me Skënderbeun ka debutuar edhe blerja e parë e projektit madhështor për sezonin e ardhshëm, kosovarja Albina Rrahmani.
E kjo lojtare kosovare, që është edhe pjesë e kombëtares sonë, ka bërë një prezantim për t’u mbajtur mend. Përpara fillimit të takimit presidenti Ardjan Takaj ka takuar të gjitha futbollistet dhe trajnerin Stavrion Lako dhe duket se ka qenë me këmbë të mbarë, sepse Skënderbeu fitoi.
Bashkë me Takaj ka qenë edhe Drejtori Sportiv, Haris Fakiç. Por duket se, ndërkohë që ka qenë fat për femrat, Takaj ka patur një mbrëmje për t’u harruar me skuadrën e meshkujve, e cila është turpëruar në fushën e vet, duke u mundur 2-3 në fushën e vet përballë Tërbunit të vendit të fundit.