Gjergj Vyshka 17.04.2016 18:20
Tirana në basketboll për meshkuj ka shpërthyer fort, ndërsa ndaj Flamurtarit ka shënuar plot 133 pikë duke nxjerrë të gjithë dufin që ka pasur nga dy humbjet radhazi ndaj Teutës dhe Kamza Basket. Por kjo fitore ndaj vlonjatëve, e cila është me një diferencë prej 65 pikësh, ka pasur dhe një fenomen.
Genti Lasku, që deri përpara kësaj ndeshjeje ishte në kuotën e barabartë të pikëve të shënuar me Florian Ismetin e Partizanit 287, të paktën sipas të dhënave zyrtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit, tashmë është i vetëm në krye të pikëshënuesve më të mirë të kampionatit.
Sepse ka shënuar 100 pikë duke qenë në të njëjtën kohë dhe rekordmeni i viteve të fundit të basketbollit shqiptar. Rekord që në fakt ishte vendosur 10 vjet më parë nga Gerti Shima, i cili në një ndeshje me Partizanin, kohë në të cilën luante për Valbonën e Adem Muhametajt, pati shënuar 91 pikë.
Ka ndodhur në sezonin 2005-2006, në takimin Valbona-Partizani 151-80. Dhe kur e gjithë skuadra dje ka qenë në shërbim të Laskut, i cili ka qenë i saktë si në gjuajtjet për tre pikë, por dhe për dy pikë e nga vija e gjuajtjeve të lira, atëherë dhe spektakli ka qenë i garantuar.
100 pikë Lasku, kurse 33 pikë janë shënuar nga Vogli, Hasani, Gjyzeli, Hysa, Vaqarri e Mara. Flamurtari sigurisht që përballë kësaj furie të papëmbajtshme të Tiranës e ka pasur më shumë se sa të vështirë, ndonëse Kaso, Sotiri, Kollovi e Toska janë përpjekur nëpërmjet 3-pikëshave që ta ngushtojnë sa më shumë diferencën e humbjes, por ka qenë e pamundur.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 18-të
(15-16 prill 2016)
Të premten:
Kamza Basket – Partizani 77-69
Të shtunën:
Tirana – Flamurtari 133-68
Vllaznia – Teuta 89-68
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Kamza Basket 18 16 2 1306-1076 34
- Vllaznia 18 14 4 1303-1121 32
- Tirana 18 12 6 1401-1173 30
- Teuta 18 8 10 1324-1285 26
- Flamurtari 18 3 15 1005-1463 21
- Partizani 18 1 17 1101-1312 19