AlbanianSport.com 17.04.2016 16:05
ASNN – Dje ka qenë njëvjetori i ndarjes nga jeta i ikonës së alpinizmit shqiptar, Maringlen Laçit, i cili ka ngjitur majat më të larta jo vetëm të vendit tonë, por dhe Botës dhe Evropës. Madje ai është shpallur dy herë kampion i Ballkanit dhe Evropës. E në këtë njëvjetor të ndarjes nga jeta, Maringleni është përkujtuar nga miq e dashamirës jo vetëm të qytetit të tij të lindjes, Pukës, por dhe të gjithë Shqipërisë.
Madje i pranishëm ka qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çule. E vërteta është se karrierën e tij e ndërpreu ndarja e parakohshme nga jeta, ndërsa ai do të mbetet gjithnjë në zemrat e pukjanëve. Maringlen Laçi e ka nisur sportin e alpinizmit që në moshën 6-vjeçare, atje ku së bashku me xhaxhain Gëzimin dhe të atin, Përparimin, nisi rrugëtimet e tij në mal.
Përkujtimi i figurës së tij u bë në Pallatin e Kulturës në Pukë, atje ku ka përshëndetur edhe kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni. Për Maringlenin alpinist foli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Ilirjan Çule, ndërsa ai ishte dhe një sportdashës futbolli.