AlbanianSport.com 17.04.2016 13:50
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të futbollit vijon sot me dy takimet e tjera të javës së saj të 30-të dhe, duke nisur nga ora 16:00, Bylisi pret në Ballsh Tiranën. Ndërkohë, vëmendja e sportdashësve do të jetë përqendruar tek takimi i orës 19:00, midis Partizanit dhe Vllaznisë, pasi të kuqtë kryeqytetas kanë shansin për të ngushtuar hendekun që i ndan në krye të renditjes me Skënderbeun.
Kjo sepse çështja e titullit mund të quhet e rihapur, pas humbjes së dytë radhazi të Skënderbeut, kur duhen edhe 6 javë deri në fund të këtij sezoni. “Kampionia” e Shqipërisë në 5 sezonet e fundit radhazi, u mund në fushën e saj me rezultatin 2-3 nga Tërbuni i vendit të fundit, në atë që mund të quhet edhe surpriza e këtij sezoni.
Më herët, Flamurtari mori një 3 pikësh me vlerë, duke fituar me shifrat 2-1 me përmbysje në fushën e Laçit. Kurse përballja direkte e rivaleve për vendin e tretë, Teuta-Kukësi, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u mbyll pa gola, një rezultat ky që lë të pandryshuar situatën e këtyre dy skuadrave në renditjen e Kategorisë Superiore.