AlbanianSport.com 17.04.2016 07:50
ASNN – Gara e 3-të e sezonit të nivelit më të lartë të automobilizmit botëror, që njihet si “Formula Një”, ka kurorëzuar gjermanin Niko Rosberb si fitues të saj. Kjo garë, që është zhvilluar sot në Kinë, është karakterizuar nga aksidentet e shumta, sidomos në fillim të saj. Në renditjen e pilotëve, Rosbergu kryeson me 75 pikë, thuajse dyfishin e Hemiltonit, që mban vendin e dytë me 39, ndërsa në renditjen e konstruktorëve, “Mercedes”-i ka 114 pikë, i ndjekur nga “Ferrari” me 61.
Çmimi i Madh i Kinës në Formula 1 është karakterizuar nga një garë dramatike të deilën, por piloti i Mercedesit, Niko Rosberg, e la gjithçka prapa, duke korrur fitoren e 6-të radhazi në nivelin më të lartë të automobilizmit botëror. Podiumin në Shanghai e plotësuan piloti i Ferrarit, Sebastian Fetel, dhe ai i “Red Bull”-it, Daniil Kvjat. Pasi kryesoi në fillim, përpara se të pësonte një gomë të shpuar, Daniel Riçiardo vijoi të plotësonte një ditë të mirë për skuadrën e “Red Bull”-it.
Ai ka marrë vendin e 4-t, i ndjekur nga pas nga “Ferrari” i dytë i Kimi Raikonenit dhe “Uilliams”-i i Felipe Masës. Ljuis Hemiltoni, i cili e nisi nga vendi i fundit me “Mercedes”-in e tij, pas problemeve në prova, mbijetoi në një pasdite luftarake në pistën e Shanghait dhe, përtej 5 “pit stop”-eve, arriti të merrte vendin e 7-të, duke lënë prapa dy pilotët e “Toro Rosos”, Maks Verstapenin dhe Karlos Sainzin. Dhjetëshen e të parëve e plotësoi piloti i Uilliamsit, Valteri Botas.
Ndërsa duhet theksuar, përtej aksidenteve që e karakterizuan garën, të 22 makinat pjesëmarrëse e arritën finishin. Në renditjen e pilotëve, Rosbergu kryeson me 75 pikë, thuajse dyfishin e Hemiltonit, që mban vendin e dytë me 39. Riçiardo është i treti me 36, i ndjekur nga Feteli me 33 dhe Raikoneni me 28. Në renditjen e konstruktorëve, “Mercedes”-i ka 114 pikë, i ndjekur nga “Ferrari” me 61, “Red Bull”-i me 57 dhe “Uilliams”-i me 29.