Gjergj Vyshka 16.04.2016 07:05
Lotë dëshpërimi tek Farka Voleji, e cila ka besuar deri në fund se edhe mund të ishte fituese e ndeshjes së kthimit gjysmëfinale ndaj Studentit për të kërkuar më pas surprizën në ndeshjen që do të luhej në ora 19:00 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Por Studenti mbetet Student dhe në pikën e 15-të të kampionëve në setin e pestë ka dhe shpërthim nervash nga trajneri Ylli Tomori, që godet stolin dhe përfundon me kurriz në parket. Për fatin e mirë pa dëmtime për trajnerin e kampionëve.
Ndërsa ajo që duhet theksuar është se Farka Volej dje ka bërë një nga ballafaqimet e saj më të mira përballë Studentit. Mirëpo ashtu sikurse ka ndodhur gjatë gjithë këtij sezoni, Studenti përsëri ka fituar. Madje edhe atëherë kur është dukur e pamundur. Sepse gjysma e skuadrës së Ylli Tomorrit mbetet Arbër Troka. Nëse do t’i referohemi shifrave, në 5 sete Studenti ka realizuar 113, pikë prej të cilave 91 pikë vetë, kurse 22 pikë kanë ardhur nga gabimet e Farka Volejit.
E në krahun tjetër, Farka Voleji në 5 sete ka shënuar 110 pikë, prej të cilave 88 pikë vetë, kurse 22 pikë kanë ardhur nga gabimet e Studentit. Dhe për hir të së vërtetës duhet pranuar që nga 91 pikë të Studentit, Arbër Troka, që ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, ka shënuar 41 pikë. Pas tij kanë ardhur dyshja e Farka Volejit, Redi Koçi me 26 pikë, dhe Osman Qepa me 20 pikë, si dhe bullgari Ivanov i Studentit dhe Metani i Farkës, me nga 15 pikë.
Në bllok ka dalë fitues Koçi dhe Bajrami i Farka Volejit me katër dhe Nimani me tre. Kurse në shërbim Koçi po me dy. Nëse Troka ka shënuar i vetëm 42 pikë (ka dhe një bllok, shto dhe 41 pikë në sulm), në totalin e tyre Koçi, Qepa dhe Nimani kanë realizuar 61 pikë nga 88 të Farka Volejit. Por, edhe pse ka shpërndarje të lojës në ekipin e Dritan Bardhit, përsëri ka munguar eksperienca dhe ai hapi i madh që Studenti di ta bëjë gjithnjë në raste të tilla.
Megjithatë i duhet thënë “bravo” Farka Volejit për atë gjithë atë rezistencë dhe për atë ankth që e mbajti kundërshtaren, 14 herë “kampione” të Shqipërisë, por edhe të gjithë Sallën Sportive “Fahrie Hoti” deri në fund.